Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas qarkullimit në media të një studimi të vitit 2012, në të cilin Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhej si “organizatë e banditëve dhe kriminelëve shqiptarë”. Basha ka mohuar çdo lidhje me pjesën e artikullit që përmban përshkrime të tilla, duke sqaruar se ka qenë autor vetëm i një kapitulli specifik që trajton çështjen e islamit radikal.
Përmes një postimi në Facebook, Basha tha se autorësia e tij në artikullin e titulluar “Globalizing the Western Balkans”, botuar në vitin 2012 kur ai ishte student, përfshin vetëm Kapitullin 3, që sipas tij “trajton depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus në Kosovë”.
“Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, shkroi Basha, duke shtuar se e çmon lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri.
Reagon bashkautorja e artikullit
Në lidhje me polemikat, ka reaguar edhe autorja kryesore e artikullit, profesorja Jana Arsovska. Ajo ka konfirmuar se Basha ka kontribuar vetëm në kapitullin e tretë, ndërsa pjesët tjera – përfshirë përshkrimet për UÇK-në – janë shkruar nga ajo vetë.
“Z. Basha ka dorëzuar vetëm Kapitullin 3 për publikim, një pjesë që shqyrton përhapjen e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus të veçantë në Kosovë. Akuzat që i atribuojnë atij përmbajtje të tjera janë keqinterpretime”, thuhet në reagimin e saj dërguar përmes emailit, që është publikuar nga RTK.
Reagime publike dhe politike
Pas publikimit të artikullit në media, janë ngritur shqetësime nga opinioni publik dhe përfaqësues të sektorit politik, të cilët kërkuan sqarim nga kreu i Kuvendit. Basha theksoi se pjesëmarrja e tij në studimin akademik të para më shumë se një dekade nuk përfshin asnjë deklarim apo qëndrim kundër luftës çlirimtare.
