Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, në kuadër të konsultimeve gjithëpërfshirëse me liderët e partive parlamentare.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani dëgjoi me vëmendje këndvështrimet dhe shqetësimet e secilit komunitet në lidhje me rrugën përpara drejt garantimit të funksionimit kushtetues të Kuvendit të Kosovës.
Osmani, në deklarimin e saj, ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe sigurimi i funksionimit të institucioneve janë prioritete kyçe, duke theksuar se ato janë në funksion të interesit të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit.
Ky takim vjen në një kohë kur institucioni i Presidencës po intensifikon përpjekjet për të mbështetur dialogun institucional dhe gjithëpërfshirës në përballje me sfidat aktuale politike.
