Dhuna dhe urrejtja nuk kanë vend në sport – Reagim i Rrjetit të OJQ-ve

Para 1 vit

Reagim i Rrjetit të OJQ-ve: Dhuna dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në sport!
Prishtinë, 23 Prill 2025 — Rrjeti i OJQ-ve për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe Luftimin e Diskriminimit Etnik ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj një incidenti të rëndë të ndodhur gjatë një ndeshjeje të grupmoshës U15 mes SHF “Arsenali” dhe SHF “Fushë Kosova”.
Gjatë pjesës së parë të ndeshjes, një person i paautorizuar ka hyrë në fushën e lojës dhe ka sulmuar fizikisht një lojtar të SHF “Fushë Kosova”, i cili është pjesëtar i komunitetit Ashkali. Përveç aktit të dhunës fizike, sulmuesi ka përdorur edhe gjuhë ofenduese dhe raciste ndaj lojtarit, çka ngre dyshime të forta se motivi i këtij sulmi është pikërisht përkatësia etnike e viktimës.
Videoja e incidentit mund të shikohet këtu: https://www.facebook.com/watch/?v=696921622785332&rdid=cHHogB4dPuVIsIyw
Në deklaratën publike, Rrjeti dënon ashpër këtë akt të papranueshëm dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga ana e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës dhe nga të gjitha organet kompetente që kanë për detyrë garantimin e sigurisë dhe barazisë në sport.
“Sporti duhet të jetë një mjet për ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve, jo një skenë e ndasive dhe urrejtjes. Le të mbrojmë vlerat e sportit si barazinë, respektin dhe solidaritetin,” thuhet në reagim.
Mesazhi i përbashkët i organizatave anëtare të rrjetit është i qartë: Futbolli është për të gjithë. Dhuna nuk ka vend në fushë!
#SportPërBarazi
Deklarata është firmosur nga organizatat anëtare të rrjetit:
Durmish Aslano – DA
Nevo Koncepti – NVK
Roma in Action – RIA
Visioni 02
Romtegra
Advancing Together – AT
Roma Versitas Kosovo – RVK
The Ideas Partnership – TIP
Bethany Christian Services – BCS
Multiethnic Culture of Kosovo – MCK
Roma and Ashkali Documentation Center – RADC
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve – VoRAE