Dhomat e Specializuara: Veteranët ndalojnë me tym konferencën e Trendafilovës në Prishtinë

Para 11 muaj

Prishtinë – Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë reaguar pas anulimit të detyruar të konferencës për shtyp të planifikuar për sot me kryetaren Ekaterina Trendafilova, duke shprehur keqardhje që ngjarja nuk u zhvillua për shkak të protestave të veteranëve të UÇK-së.

Në një deklaratë të lëshuar për media, thuhet se qëllimi i vizitës së Kryetares Trendafilova në Kosovë ishte pikërisht informimi i publikut në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente për proceset gjyqësore që zhvillohen në Hagë.

“Ky ishte qëllimi i takimeve me gazetarët në Kosovë, përfshirë edhe konferencën e sotme ku mediat do të kishin mundësi të bënin pyetje dhe të merrnin përgjigje nga gjykata,” thuhet në reagim.

Konferenca u anulua për shkak të tensioneve të krijuara nga protestat e veteranëve dhe hedhjes së bombolave tymuese në vendin ku duhej të mbahej takimi, me qëllim të pengimit të mbajtjes së tij.

DHSK theksoi se respekton të drejtën për protestë paqësore, por shprehu keqardhje që përmes këtij veprimi, gazetarët u privuan nga mundësia për t’u informuar drejtpërdrejt nga Kryetarja e Gjykatës.

Pavarësisht ngjarjes së sotme, Dhomat e Specializuara theksuan angazhimin e tyre për të vazhduar komunikimin transparent dhe të rregullt me publikun dhe median në Kosovë lidhur me zhvillimet në proceset gjyqësore që ndodhin në Hagë.