Dhjetor apo shkurt – dy skenarët për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë

Para 6 muaj

Pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar shumicën parlamentare dhe formimin e qeverisë së re, vendi po përballet me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha pas seancës së Kuvendit se partia e tij nuk do të pranojë mandatin për formimin e qeverisë, duke theksuar se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të pranojë mandatin për formimin e qeverisë. Pa vonesë duhet të konsumohen procedurat në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje,” deklaroi Krasniqi.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Ndërkaq, deputeti Nenad Rashiq, në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi, përmendi dy afate të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve – ose deri në mesin e dhjetorit, ose në fund të janarit apo fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm.

Sipas tij, më real është që zgjedhjet të organizohen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.