Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se është duke monitoruar dhjetëra tenderë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për shkak të dyshimeve për praktika të ndaluara të tipit “bid-rigging” (kurdisje tenderësh).
Sipas një përgjigjeje zyrtare për Telegrafin, Autoriteti ka marrë listën e rreth 800 tenderëve të realizuar nga KEK gjatë viteve 2020–2024, me një vlerë totale që kalon 200 milionë euro. Megjithatë, theksohet se jo të gjithë tenderët janë nën vëzhgim aktiv.
“Nga ky numër i përgjithshëm, dhjetëra tenderë që arrijnë vlera prej dhjetëra milionë euro janë aktualisht nën monitorim të drejtpërdrejtë nga inspektorët e Autoritetit, për shkak të dyshimeve mbi praktika të ndaluara të tipit bid-rigging,” thuhet në deklaratë.
Autoriteti ka identifikuar disa forma të zakonshme të kurdisjes, të cilat po analizohen në këtë fazë:
- Shtypja e ofertës – kur konkurrentët bien dakord të mos paraqesin ofertë ose të tërheqin një ofertë të dorëzuar;
- Rotacioni i ofertave – kur kompanitë bien dakord të fitojnë tenderë me radhë;
- Shpërndarja e klientëve apo zonave gjeografike – ndarja e tregut mes ofertuesve;
- Oferta plotësuese – dorëzimi i ofertave të qëllimshme për të humbur, për të krijuar përshtypjen e konkurrencës.
Komisioni vendimmarrës jashtë funksionit
Megjithatë, një hetim formal nuk ka nisur, për shkak të mosfunksionalitetit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, i cili është organi vendimmarrës i këtij institucioni.
“Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës përcakton se vendimmarrja bëhet vetëm kur Komisioni ka së paku tre anëtarë aktivë. Aktualisht, ky kuorum nuk është i plotësuar për shkak të konflikteve të interesit të konstatuara te nënkryetarja Kaltrina Sela, si dhe dorëheqjes së dy anëtarëve, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi-Loku,” sqaroi Autoriteti.
Në këto rrethana, Autoriteti po kryen vetëm analiza paraprake, mbledhje provash dhe monitorim të situatës, me qëllim që, pas rifunksionalizimit të Komisionit, të jetë i gatshëm të ndërmarrë veprimet ligjore të nevojshme.
Në përmbyllje, Autoriteti ka ritheksuar përkushtimin e tij:
“Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar të mbrojë konkurrencën e ndershme dhe të garantojë përdorimin e drejtë dhe efikas të fondeve publike, veçanërisht në rastet e prokurimeve të mëdha, si tenderët e KEK-ut.”
