Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Shkodrës mëngjesin e kësaj të premteje, ku një grua amerikane u vra në banesën e saj nga bashkëjetuesi amerikan.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, pranë Pedonales së qytetit.
Policia arrestoi autorin e vrasjes, i cili nuk ishte larguar nga banesa. Ai u gjet në gjendje të dehur, brenda banesës ku kishte ekzekutuar me thikë bashkëshorten e tij.
Ende nuk dihet motivi i krimit të rëndë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit.
“Rreth orës 10:15, në rrugën ‘At Shtjefën Gjeçovi’, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës shtetasja amerikane S. S.
Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta në duar, me mjete prerëse,” thuhet në njoftimin e policisë.
