Për herë të 36-të me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, duke zgjatur më tej krizën institucionale që po paralizon vendin. Në seancën e sotme, komisioni për votim të fshehtë mori vetëm 53 vota pro – numër ky i pamjaftueshëm për të vazhduar me procesin. Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu menjëherë seancën, duke lënë gjithçka për një tjetër tentativë të mërkurën, e 37-ta me radhë.
Ky dështim i vazhdueshëm nuk është më thjesht një problem teknik, por pasqyrim i qartë i bllokadës politike që partitë po imponojnë mbi institucionet.
Përplasjet për postin e kryetares së Kuvendit dhe mungesa e vullnetit për kompromis po i kushtojnë vendit jo vetëm kohë, por edhe fonde, investime dhe besueshmëri ndërkombëtare.
Në vend të zgjidhjes, qytetarët po shohin arrogancë politike dhe mungesë përgjegjësie nga përfaqësuesit e tyre, ndërsa kriza zvarritet pa afat. Në një kohë kur vendi përballet me sfida të mëdha ekonomike e diplomatike, dështimi për të funksionalizuar Kuvendin është më shumë se turp – është dëm i drejtpërdrejtë për të ardhmen e Kosovës.
