John Stewart Duncan, ish-këshilltar i NATO-s dhe ish-anëtar i ekipit të gjeneralit Wesley Clark, ka dhënë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku është thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Duncan, i cili ka shërbyer si këshilltar nga viti 1998 deri më 2001, deklaroi se gjatë asaj periudhe kishte rol aktiv në informimin e komandantëve të NATO-s për zhvillimet në terren dhe për takimet me përfaqësues diplomatikë në rajon.
“Unë isha personi që merrja shënime në takime. Kisha një panoramë të gjerë për mënyrën si funksiononte shoqëria shqiptare, për të qenë në gjendje t’ua shpjegoja eprorëve të mi,” u shpreh Duncan.
Ai theksoi se ideja e një “Shqipërie të Madhe” ka qenë një ndër shqetësimet kryesore të faktorit ndërkombëtar në atë kohë.
“Ideja e Shqipërisë së Madhe e shqetësonte shoqërinë ndërkombëtare. Ata kërkonin të kuptonin marrëdhënien mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Detyra ime ishte të kuptoja këto raporte dhe t’ua transmetoja komandantëve tanë,” tha ai në sallën e gjyqit.
Dëshmia e Duncan vjen në kuadër të procesit kundër Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së, ku mbrojtja po përpiqet të ofrojë një panoramë më të gjerë të rrethanave politike dhe ushtarake të kohës së luftës dhe pas saj.
