Mitrovicë – Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit Sllavko Simiq për veprat penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” si dhe sulm ndaj gazetarëve gjatë një proteste në Leposaviq, më 16 qershor 2023.
Sipas aktakuzës, Simiqi dyshohet se udhëhoqi turmën që sulmoi median pas vizitës së ish-ministrit Elbert Krasniqi, ndërsa protestuesit hodhën shok bomba, gurë dhe mjete të forta ndaj veturës zyrtare dhe më pas ndaj gazetarëve kosovarë, duke shkaktuar lëndime të rënda trupore tek dy prej tyre.
Në të njëjtën ngjarje, U.V., një tjetër i akuzuar, përballet me veprën penale të sulmit fizik ndaj gazetarëve.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.
