Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtor Jon Hotin dhe e ka dënuar me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Albison dhe Rexhep Shlivovës, ngjarje e ndodhur më 13 nëntor 2024 në një lokal në qendër të Klinës.
Sipas aktakuzës, Hoti veproi me paramendim, duke i kontaktuar viktimat përmes rrjetit social Facebook, dhe pasi u takuan në një lokal, i qëlloi me armë zjarri. Albison Shlivova vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa Rexhep Shlivova u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Pejës.
Në vendngjarje ndodheshin edhe persona të tjerë, jeta e të cilëve u vu në rrezik. Vëllai i viktimës, dëshmitari E.SH, tentoi të ndalonte të pandehurin duke u hedhur mbi të, çka bëri që arma të binte në dysheme, ndërsa Hoti u largua menjëherë pas krimit.
Aktgjykimi u shpall sot në Pejë.
