Prishtinë – Në emisionin “Shoqet” të transmetuar në Klan Kosova, Edlira Qefalija ka bërë një deklaratë që ka shkaktuar reagime të shumta, duke krahasuar situatën e grave në Gaza me atë të grave në Iran.
“Gratë e Gazës dhe gratë e Iranit, nëse duam t’i bëjmë në një vend, veç janë viktima… Vritesh vetëm pse nuk e ke kokën të mbuluar, burgosesh, maltretohesh… këtu fillon viktimizimi i femrës në një sistem totalitar, i cili shtyhet shumë edhe nga çështja e fesë,” u shpreh Qefalija gjatë emisionit.
Deklarata e saj është pasuar nga një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku qindra qytetarë janë shprehur të habitur dhe kritikë ndaj krahasimit. Shumë prej tyre komentuan se situata në Gaza nuk ka të bëjë me kodin e veshjes, por me realitetin brutal të luftës dhe pushtimit ushtarak.
Sipas tyre, gratë në Gaza nuk po vriten për shkak se nuk mbajnë shami, por si viktima civile të një lufte të përgjakshëm, ku dhjetëra mijëra janë vrarë, plagosur apo zhvendosur nga bombardimet izraelite.
Barazimi i këtij realiteti me represionin institucional ndaj grave në Iran është konsideruar si një keqinterpretim i rëndë dhe një neglizhencë ndaj rrethanave të vërteta në terren.
