Deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, se gjatë mandatit të tij të parë ndali një luftë mes Kosovës dhe Serbisë dhe se do ta “rregullojë sërish” çështjen, ka ngjallur reagime të ndryshme në spektrin politik në Kosovë.
Partitë opozitare si PDK dhe LDK e shohin këtë deklaratë si sinjal për një rihapje të fuqishme të rolit amerikan në dialog, ndërsa nga pushteti në detyrë thonë se marrëdhëniet me SHBA-të janë më të ngushta se kurrë – por pa besuar se Kosova është në fokus të agjendës së Trumpit.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmendi arritjet gjatë mandatit të parë të Trumpit si njohja nga Izraeli dhe transformimi i FSK-së, duke kritikuar qeverinë Kurti për sanksionet ndërkombëtare ndaj Kosovës:
“Fatkeqësisht, kryeministrit, ish-kryeministrit, deputetit Albin Kurti nuk i bëhet vonë. Ne jemi gati.”
Ndërkohë, Mimoza Kusari nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se bashkëpunimi me SHBA-në në fushën e mbrojtjes është më i ngushtë se kurrë, por shtoi se “Kosova nuk është lart në agjendën e Trumpit”.
Lutfi Haziri i LDK-së theksoi se deklarata e Trumpit është një sinjal i qartë për paqe dhe afrim mes popujve:
“Roli i tij do të jetë kritik në përmbylljen e shtet-ndërtimit në Kosovë. Duhet të bëhemi gati.”
Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka theksuar se për zbatimin e marrëveshjes bazë, duhet të rritet presioni ndaj Serbisë.
