Zyrtari i lartë i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka shkaktuar reagime të ashpra pas një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”. Deklarata u bë gjatë një tubimi të mbajtur të premten, ku ai akuzoi UÇK-në se nuk ka dashur që serbët të jetojnë në Kosovë.
Ky diskurs i Popoviq është konsideruar gjuhë e urrejtjes dhe provokim i rrezikshëm nga shumë qytetarë, përfaqësues institucionalë dhe veteranë të UÇK-së.
Një veteran i UÇK-së e cilësoi deklaratën si “sulm të drejtpërdrejtë ndaj sakrificës për liri” dhe kërkoi veprim të menjëhershëm ligjor ndaj zyrtarëve që përhapin narrativën serbe për luftën në Kosovë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, reagoi duke theksuar se “Popoviq do ta marrë dënimin e merituar”. Ai shtoi se fyerja ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është fyerje ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe e papranueshme në një shtet demokratik.
Ndërkohë, njohës të çështjeve juridike theksojnë se veprime të tilla bien ndesh me ligjet e Kosovës, sidomos me nenet që ndalojnë nxitjen e përçarjes dhe gjuhën e urrejtjes, dhe kërkojnë që drejtësia të veprojë pa hezitim.
Popoviq u arrestua më vonë në pikën kufitare në Bërnjak dhe ndodhet në mbajtje nën dyshimin për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike.
