DEFENDER EUROPE 2025 NIS NË KOSOVË DHE SHQIPËRI: MË SHUMË SE 25 MIJË USHTARË NGA 29 SHTETE NË USHTRIMIN MË TË MADH USHTARAK NË EVROPË

Para 11 muaj

Prishtinë, 25 maj 2025 – Sot nis zyrtarisht stërvitja më e madhe ushtarake në kontinentin evropian, “Defender Europe 2025”, me pjesëmarrjen e mbi 25,000 ushtarëve nga 29 shtete aleate dhe partnere të NATO-s. Kosova dhe Shqipëria janë dy prej shteteve mikpritëse të këtij ushtrimi të përmasave të mëdha, i cili do të zhvillohet deri më 6 qershor në 18 vende të ndryshme të Evropës.

Në Kosovë, Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane është vendosur në Aeroportin e Gjakovës, prej nga do të koordinohen të gjitha aktivitetet ushtarake në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ushtrim si një dëshmi të partneritetit të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. “Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë,” deklaroi Kurti.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se “Defender Europe 2025” është ushtrimi më i madh ndërkombëtar i drejtuar nga Ushtria e SHBA-së për Evropë dhe Afrikë, ku Forca e Sigurisë së Kosovës luan një rol të rëndësishëm.

Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, ushtrimet do të zhvillohen edhe në Bullgari, Kroaci, Çeki, Finlandë, Greqi, Hungari, Letoni, Lituani, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, Poloni, Rumani, Sllovaki, Slloveni dhe Suedi.

Qëllimi i këtij ushtrimi është të testojë aftësitë e dislokimit të shpejtë dhe ndërveprueshmërisë së forcave të NATO-s dhe partnereve të saj, duke rritur gatishmërinë për reagim të përbashkët ndaj krizave në Evropë dhe më gjerë.