Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, në një intervistë për Euronews Albania ka folur për protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe për tensionet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Haradinajt, përplasjet mes Ramës dhe Kurtit kanë qenë të dukshme prej kohësh, ndërsa kritikoi Kurtin për mënyrën si ka trajtuar çështjen e UÇK-së. Ai theksoi se Kurti “ka katër vite që nuk e ka frekuentuar Shqipërinë”, duke e quajtur këtë një shmangie të qëllimshme.
I pyetur se si ua shpjegon fëmijëve të tij Luftën e Kosovës, Haradinaj tha se përpiqet të mos i ngarkojë me të kaluarën, por nuk mund t’i shmanget të vërtetës për shkak të historisë personale dhe sakrificës familjare.
“Sa më shumë merremi me të ardhmen, aq më shumë e rrisim vlerën e së kaluarës”, u shpreh Haradinaj.
