Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, afërsinë dhe bashkëpunimin me Listën Serbe. Gjatë një interviste në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haradinaj u shpreh se përfaqësues të VV-së kalojnë kohë të konsiderueshme me deputetët e Listës Serbe në ambientet e Kuvendit, ndërsa në publik shesin patriotizëm.
“Mos të më flasin ata për patriotizëm. Këndej fshehur negociojnë, këndej zgjedhin gjyqtarë të Kushtetueses bashkë me ta, votojnë kundër veteranëve, e në anën tjetër na shesin patriotizëm”, tha Haradinaj.
Ai akuzoi Vetëvendosjen se bashkëpunon me Listën Serbe edhe në zgjedhjen e institucioneve, duke e cilësuar këtë si hipokrizi të pastër.
“Buzëqeshen bashkë, me ardhë me i pa ju në byfe, marre u vjen çka bëjnë me ta. Fore e hajgare gjithë ditën”, deklaroi deputeti i AAK-së.
Haradinaj theksoi se nuk është KQZ-ja që i jep apo i merr mandatin Listës Serbe, por institucionet që duhet ta shpallin atë organizatë terroriste, çka do të çonte në përjashtimin e saj automatik nga proceset zgjedhore.
