Daut Haradinaj akuzon Albin Kurtin për bllokim të qëllimshëm të Kuvendit: “Mos e lë Albulenën në baltë”

Para 11 muaj

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër pas dështimit për herë të 21-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për bllokim të qëllimshëm të proceseve institucionale dhe për kapje të deputetëve të partisë së tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj e ka cilësuar situatën si “të papranueshme dhe shumë të dëmshme për vendin”, ndërsa ka theksuar se dështimet e njëpasnjëshme të seancave po e zbulojnë qartë, sipas tij, se “deputetët e VV-së janë tashmë të kapur peng nga Albin Kurti, i cili për vete i paska siguruar numrat”.

Haradinaj i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë deputetes Albulena Haxhiu dhe gjithë deputetëve të VV-së që të kërkojnë nga Albin Kurti të njëjtat vota që janë siguruar për postin e kryeministrit, të përdoren edhe për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit.

“I bëj thirrje deputetes Albulena Haxhiu, por edhe gjithë deputetëve të VV-së, që të reflektojnë dhe t’i kërkojnë Albin Kurtit numrat e tij, që janë siguruar për Kryeministër, 61+, ashtu siç po deklarojnë, edhe t’i ofrojë të njëjtit edhe për votimin e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos lejohet vazhdimi i bllokimit të vendit”, ka shkruar ai.

Ai shtoi: “Si mund të kuptohet sigurimi i numrave për Albin Kurtin e jo edhe për Albulena Haxhiun?”

Duke e sfiduar publikisht Kurtin, Haradinaj e mbylli reagimin me fjalët: “Albin, mos e lë Albulenën në baltë, jepja votat tua edhe asaj. Nëse nuk ke besim në kandidaturën e Haxhiut, atëherë ndërroje kandidatin dhe gjeje një më të besueshëm dhe jepja votat. Në këtë do të kesh reflektim edhe nga deputetët opozitarë.”