Një numër nxënësish të shkollave të mesme në Danimarkë do të kenë mundësinë të përdorin inteligjencën artificiale gjatë përgatitjes së pjesës me gojë të provimit përfundimtar të anglishtes, duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor. Lajmi u konfirmua nga Ministria daneze e Arsimit, e cila po teston këtë qasje si pjesë e një eksperimentimi arsimor.
Sipas rregullave të reja, gjatë fazës përgatitore të provimit, nxënësve do t’u lejohet përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale për të hartuar një temë të caktuar. Pasi të përzgjedhin temën, ata do të kenë në dispozicion një orë për përgatitje, gjatë së cilës do të mund të përdorin çdo mjet AI, gjë që më parë nuk ishte e lejuar.
Pas përgatitjes, nxënësit do të duhet të mbajnë një prezantim me gojë përpara një ekzaminuesi, pa ndihmën e teknologjisë.
Ministri danez i Arsimit, Mathias Tesfaye, tha për gazetën Le Figaro se qëllimi i këtij hapi është të gjendet një ekuilibër mes mësimdhënies tradicionale dhe përdorimit të teknologjive moderne. “Ne po nisim këto eksperimente për të gjetur ekuilibrin e duhur. Kur nxënësit zhvillohen si në botën digjitale, ashtu edhe në atë analoge, ata janë më të përgatitur për realitetin që i pret pas shkollës”, deklaroi Tesfaye.
Përdorimi i inteligjencës artificiale do të jetë i mundur vetëm për ato shkolla të mesme që vendosin të aplikojnë në mënyrë vullnetare për të marrë pjesë në këtë projekt pilot.
Ky vendim vjen në një kohë kur vendet evropiane dhe institucionet arsimore po përballen me sfida të reja për shkak të përhapjes së mjeteve të avancuara të AI, si dhe debatit rreth rolit të tyre në edukimin dhe vlerësimin e nxënësve.
