Dame Karen Pierce në Prishtinë: Kërkohet formimi urgjent i qeverisë dhe rifillimi i dialogut

Para 9 muaj

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me drejtuesit e partive kryesore politike – Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK – për të diskutuar përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në tetor në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit të Ambasadës Britanike në Kosovë, Dame Pierce theksoi rëndësinë e formimit të shpejtë të një qeverie funksionale që përfaqëson të gjithë qytetarët dhe angazhimin e Kosovës si shtet multietnik. Ajo kërkoi gjithashtu përkushtim të vazhdueshëm ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë vizitës, ajo u takua edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, ku rikonfirmoi mbështetjen britanike për rolin kyç të misionit të NATO-s në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.