Dalin pamjet nga aksidenti fatal afër Drenasit, zjarrfikësi kërkon trupa në ujë nga vetura e rrokullisur

Para 5 muaj

Kanë dalë pamjet nga aksidenti i rëndë që ndodhi mbrëmë në fshatin Zabel i Ulët të Drenasit, ku një grua humbi jetën dhe katër persona të tjerë u lënduan. Në video shihet një zjarrfikës i futur në ujë, duke kërkuar trupa pranë veturës së rrokullisur në kanal.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur më 20.11.2025, rreth orës 22:40, kur drejtuesi i një veture dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke humbur kontrollin dhe duke dalë jashtë rruge, ku automjeti ka përfunduar në një kanal.

Si pasojë, drejtuesi dhe katër pasagjerë – tre femra dhe një mashkull – kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Njëra nga pasagjeret nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve dhe ka ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti po hetohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.