Në një panel të organizuar nga Clinton Global Initiative, ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u bashkuan për të diskutuar përparimin dhe sfidat e Kosovës pas dy dekadash nga liria dhe pavarësia.
Në fjalimin e tij, Clinton shprehu krenarinë për popullin e Kosovës dhe rolin që kishte luajtur gjatë luftës. Ai theksoi se vendimi për t’u angazhuar në konfliktin e viteve ’90 ishte i vështirë dhe i kontestuar.
“Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë,” tha ai. “Por u thashë: ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë.”
Clinton lavdëroi gjithashtu udhëheqjen e presidentes Osmani dhe progresin e arritur.
“Jam shumë krenar me ty dhe njerëzit e tu. Ti ke menaxhuar rritjen ekonomike dhe sigurinë,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, presidentja Osmani e cilësoi Kosovën si një “storje suksesi”, duke nënvizuar se kjo arritje është fryt i punës së brendshme, por edhe i mbështetjes ndërkombëtare.
Ajo përmendi renditjen më të fundit nga Instituti Gallup, sipas së cilës Kosova renditet si një nga vendet më të sigurta në Evropë.
“Ky sukses nuk na atribuohet vetëm neve, por edhe juve. Sot, dy dekada pas lirisë dhe pavarësisë, Kosova është shteti më i sigurt në Evropë,” deklaroi Osmani.
Takimi u përmbyll me nota optimizmi dhe theks të veçantë mbi miqësinë e qëndrueshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
