Çitaku mbron Musliun: E ushtroi të drejtën kushtetuese të fjalës, sulmet tregojnë panik

Para 9 muaj

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas kritikave të adresuara ndaj koleges së saj, Ganimete Musliu, pas një deklarimi të saj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku theksoi se Musliu nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka ushtruar të drejtën e saj kushtetuese për të folur në Kuvend, dhe se sulmet ndaj saj janë shenjë e frikës dhe mungesës së kulturës demokratike.

“Ganimete Musliu, deputete e zgjedhur e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk bëri as më shumë e as më pak, veçse e ushtroi të drejtën kushtetuese të fjalës në Kuvend,” shkroi Çitaku.

Ajo shtoi se sulmet “e ulëta” ndaj Musliut tregojnë një gjendje paniku dhe një vetëdije të ulët politike.

Kritika për Vetëvendosjen

Në reagimin e saj, Çitaku akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të gjuhës fyese dhe denigruese ndaj kundërshtarëve politikë, duke e cilësuar këtë si një strategji për linçim publik ndaj çdokujt që nuk bie dakord me partinë në pushtet.

“Gjuha fyese dhe denigruese, mjet i përhershëm i Vetëvendosjes dhe eksponentëve të saj, synon të linçojë këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem. Por, PDK nuk i nënshtrohet askujt. Dhe kurrë nuk do t’i nënshtrohet”, deklaroi ajo.

Ky reagim vjen në një moment kur tensionet politike në Kuvend janë të larta dhe debati ndërmjet partive ka marrë formë gjithnjë e më të ashpër, veçanërisht në kontekstin e ngërçit për formimin e institucioneve.