Pothuajse një muaj pas përpjekjes së parë më 15 prill, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, duke krijuar një situatë të pazakontë në jetën institucionale të vendit. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka cilësuar këtë bllokadë si të papranueshme dhe ka kërkuar tejkalimin e saj për hir të interesit të përgjithshëm.
Në një intervistë për Rubikon të Klan Kosovës, Çitaku tha se për t’i dhënë fund kësaj krize, politikanët duhet të tejkalojnë veten dhe interesat personale, duke vënë në plan të parë të mirën e shtetit. Ajo kritikoi ashpër qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Shteti është më i madh sesa egoja e Albin Kurtit dhe ambiciet e Albulena Haxhiut,” tha ajo, duke shtuar se në vend të insistimit për një pozitë që nuk ka marrë mbështetjen e duhur, Haxhiu do të duhej të tërhiqej me dinjitet.
Çitaku tha se përkundër dallimeve politike, është e papranueshme klima e tensionuar dhe sjelljet tallëse në Kuvend, që sipas saj nuk përçojnë vullnetin qytetar.
Duke kujtuar një përvojë personale kur kishte vendosur të tërhiqej nga posti i ambasadores në SHBA, Çitaku e përmendi si shembull të veprimit me integritet: “Ne nuk do të jemi gjithë jetën në politikë. Unë ndjej keqardhje për Haxhiun. Të lejohet të shpërdorohet emri dhe integriteti personal në këtë mënyrë është e dhimbshme.”
Çështja e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit mbetet ende e hapur, ndërsa partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë.
