Brukseli hap arkën për Ballkanin: Kosova përfiton edhe pa status kandidati

Para 9 muaj

Komisioni Evropian ka dorëzuar propozimin më të rëndësishëm buxhetor për të ardhmen e Bashkimit Evropian: Kornizën Financiare Shumëvjeçare (KFSH) për periudhën 2028–2034. Me një shumë rekord prej 2 trilionë euro, dyfish në krahasim me buxhetin aktual, kjo kornizë pritet të përcaktojë drejtimet strategjike të BE-së në dekadën e ardhshme.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se për herë të parë, zgjerimi i BE-së jo vetëm që mbetet një qëllim politik, por kthehet në një investim strategjik për stabilitetin dhe mirëqenien e kontinentit.

“Zgjerimi nuk është thjesht aspiratë politike – është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e Evropës. Prandaj, po e hapim tërësisht instrumentin ‘Global Evropë’ për vendet kandidate – jo vetëm për asistencë teknike, por për financim reformash dhe projekte konkrete zhvillimi”, deklaroi von der Leyen.

Zgjerimi i BE-së, në zemër të buxhetit të ri

Për herë të parë, fondet për vendet aspirante për anëtarësim do të kenë një peshë shumë më të madhe në kuadër të Kornizës Shumëvjeçare Financiare. Kjo pritet të reflektojë progresin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera që janë në proces të avancuar të afrimit me BE-në.

Vendet kandidate do të kenë qasje të zgjeruar në mjetet financiare të BE-së, përfshirë reforma në drejtësi, infrastrukturë, energji të gjelbër dhe digjitalizim. Në rast se ndonjë vend bëhet anëtar gjatë kësaj periudhe shtatëvjeçare, buxheti do të rishikohet në përputhje me nevojat e reja të anëtarit të ri.

Kosova përfitohet nga fondet, edhe pa statusin e kandidatit

Kosova, megjithëse ende pa status zyrtar kandidati, nuk do të mbetet jashtë këtij momenti historik. Sipas Komisionit Evropian, Prishtina do të përfitojë nga fondet përmes instrumenteve ekzistuese të ndihmës për zgjerim, si IPA III dhe programet e përgatitjes institucionale, në përputhje me nivelin e angazhimit dhe reformave që ndërmerr.

Ky buxhet synon të forcojë kapacitetin institucional të vendeve aspirante, të rrisë ndikimin ekonomik dhe të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit në BE – duke e vendosur për herë të parë zgjerimin në qendër të agjendës financiare të unionit.