Mbi 26,000 të burgosur janë liruar nga burgjet në Mbretërinë e Bashkuar nga shtatori 2024 deri në mars 2025, për shkak të mbipopullimit, raporton Daily Mail. Midis tyre janë edhe 248 persona të dënuar me 14 vjet burg ose më shumë për krime të rënda.
Të liruarit kanë përfituar nga një skemë që lejon lirimin pas vuajtjes së 40% të dënimit. Parashikohet që deri në fund të vitit të parë të programit të lirohen deri në 45,000 të burgosur. Megjithëse qeveria e kryeministrit Keir Starmer e konsideron programin të domosdoshëm, janë raportuar raste ku disa të liruar kanë kryer krime të reja menjëherë pas daljes nga burgu.
Ndërkohë, opozita dhe analistët paralajmërojnë për rritje të ndjeshme të kriminalitetit, përfshirë krimet me thikë që janë rritur me 87% në dekadën e fundit. Qeveria ka nisur ndërtimin e 14,000 vendeve të reja në burgje dhe reforma në sistemin penal për të përballuar krizën.
