Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, pas vendimit përfundimtar të Gjykatës në Bosnje e Hercegovinë, e cila dënoi presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burg dhe ndalim prej gjashtë vjetësh nga funksionet publike.
Vuçiç e cilësoi këtë situatë si një nga më të vështirat për Serbinë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, duke thënë se Beogradi është nën “presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar”.
“E gjithë udhëheqja shtetërore dhe unë personalisht jemi nën presion të madh. Gjithë pasditen kemi pasur kërkesa nga të huajt për një reagim të Serbisë”, deklaroi Vuçiç.
Më 1 gusht, Gjykata në Bosnje konfirmoi vendimin e shkallës së parë të dhënë më 26 shkurt ndaj Dodikut, i cili u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Ky është një vendim i formës së prerë dhe, sipas gjykatës, nuk lejohet apel.
Dodik, i cili ka qenë një nga zërat më të zëshëm për autonominë dhe ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja, deklaroi se nuk e pranon aktgjykimin. Ai tha se do të respektojë vetëm vendimet e Kuvendit të RS-së dhe paralajmëroi hapa të tjerë institucionalë, pa dhënë hollësi.
“Nuk e pranoj këtë vendim. Do të drejtohemi te Kuvendi dhe do të marrim vendime të reja. Po përgatitet një plan për të dalë nga kjo situatë”, tha Dodik në një konferencë të jashtëzakonshme në Banjallukë.
Ai gjithashtu deklaroi se pret përkrahje nga Serbia, por edhe nga Rusia dhe SHBA.
Avokati i Dodikut paralajmëroi se do të kërkojë rrëzimin e vendimit në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.
Dënimi ndaj Dodikut vjen pas tentativave të tij për të shpallur të vlefshme ligje që ishin anuluar më herët nga Përfaqësuesi i Lartë, me qëllim të pengimit të funksionimit të institucioneve shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës në territorin e entitetit serb. Këto veprime janë interpretuar si përpjekje për minimin e rendit kushtetues në vend.
