Prishtinë, 13 maj 2025 – Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. ka njoftuar se nga sot ndërpret shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës, për shkak të borxheve të papaguara nga vetë komuna.
Sipas njoftimit zyrtar, Komuna e Prishtinës ka grumbulluar një borxh prej 2.7 milionë euro ndaj kompanisë, duke mos i përmbushur detyrimet financiare për më shumë se pesë muaj.
“Për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në vlerë prej 2.7 milionë euro, jemi të detyruar të ndërpresim ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e “Pastrimi”-t.
Kompania thekson se kërkesat dhe paralajmërimet e përsëritura ndaj Komunës kanë kaluar pa përgjigje, duke e çuar situatën në pamundësi të mbulimit të kostove operacionale dhe funksionimit normal të shërbimeve.
“Për më shumë se pesë muaj, Komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme dhe paralajmërimeve të përsëritura. Kjo situatë e ka bërë të pamundur mbulimin e kostove operative dhe vazhdimin e normal të ofrimit të shërbimeve”, thuhet më tej.
“Pastrimi” i bën thirrje Komunës së Prishtinës që të reagojë urgjentisht duke shlyer detyrimet financiare dhe duke rivendosur bashkëpunimin institucional, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa një nga shërbimet më bazike për jetën urbane.
Kjo krizë pason dështimin e miratimit të subvencionimit për kompaninë në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, një vendim që ka nxitur reagime edhe ndaj kryetarit Përparim Rama.
Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës pritet të përballen me ndotje të shtuar dhe probleme mjedisore, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për këtë situatë.
