Bogujevci Reagon ndaj Sulmeve Publike: “Nuk Më Sulmojnë Vetëm Mua, Por Viktimat e Luftës

Para 1 vit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka reaguar ndaj sulmeve publike të fundit, duke thënë se ato nuk janë vetëm ndaj saj, por prekin gjithë të kaluarën e dhimbshme të Kosovës dhe viktimat e luftës. Në një debat në RTK, ajo ka përmendur edhe sulmet e mëparshme ndaj familjes Jashari, duke i cilësuar si pjesë e një fushate të përsëritur kundër figurave simbolike të vendit.

Bogujevci theksoi se nuk do të qëndrojë e heshtur dhe po shqyrton mundësinë e padive ligjore për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe të vërtetën historike. Ajo ka reaguar ndaj komenteve për familjen e saj si viktimë civile e luftës, duke i cilësuar të papranueshme dhe fyese për të gjitha familjet që kanë kaluar tragjedi të ngjashme.

Përsa i përket debatit me gazetarin Ilir Mirena, ajo tha se fotografia e përdorur ishte keqpërdorur dhe ka qenë pjesë e një fushate të organizuar kundër saj. Bogujevci kërkoi më shumë ndjeshmëri nga gazetarët dhe kritikët në raport me të kaluarën e saj si viktimë e masakrës së familjes Bogujevci gjatë luftës në Kosovë.