Kriza humanitare në Rripin e Gazës po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa ndihmat humanitare vijojnë të mbeten të bllokuara në kufi. Mijëra civilë janë pa ushqim, ujë të pijshëm dhe ndihmë mjekësore, në një situatë që organizatat ndërkombëtare e cilësojnë si të patolerueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Konventave të Gjenevës dhe së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, ndalimi i qëllimshëm i ndihmave humanitare për civilët përbën shkelje të qartë të ligjeve të luftës. Në raste të caktuara, një veprim i tillë mund të konsiderohet edhe krim lufte, veçanërisht kur sjell pasoja si uria masive dhe vuajtje të panevojshme për popullatën civile.
Kombet e Bashkuara, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje urgjente për garantimin e aksesit të plotë dhe të sigurt të ndihmës në të gjitha zonat e prekura. Sipas tyre, pengimi i ndihmës është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i dënueshëm sipas të drejtës ndërkombëtare.
“Gaza po përballet me një katastrofë humanitare të shkallës së gjerë. Mungesa e qasjes në ndihmë është çështje jete a vdekjeje për qindra mijëra njerëz,” tha një zëdhënës i OKB-së.
