Gjatë seancës konstituive të sotme, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ndërpreu fjalën deputeteve Vlora Çitakut, Hykmete Bajramit dhe Time Kadrijaj. Në reagimin e saj, deputetja e PDK-së, Blera Deliu-Kodra, e cilësoi këtë akt si mohim të së drejtës për të folur dhe mungesë demokracie.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkroi se në vend të fjalëve, u dëgjuan urdhra: “Vetëm propozim! Për debat nuk ka. Përndryshe… sigurimi.”
Deliu-Kodra theksoi se kjo sjellje nuk përputhet me frymën e Kushtetutës dhe me respektin për qytetarët që kanë votuar për përfaqësim të barabartë. Ajo shtoi se Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve, por në vend të bashkëpunimit po vërehet bllokim, arrogancë dhe përpjekje për ta kthyer votën në farsë.
