Biznesmeni me të kaluar kriminale akuza të rënda policit nga Prizreni që u sulmua: Probleme psikike, i pamoralshëm…

Para 1 vit

0Rasti i sulmit ndaj zyrtarit policor në Prizren, Shaban Hajdari, i cili ishte viktimë e një incidenti që nisi si aksidentale dhe përfundoi me rrahje. Hajdari edhe në një rast tjetër ka qenë viktimë e kanosjes nga një person që kishte njohje me të, teksa njihet edhe për rastin e suspendimit. Raportimi i Sinjalit për incidentin e fundit shkaktoi goxha reagime, e në mesin e tyre edhe emra të njohur për organet e rendit.

Njëri prej reagimeve është ai i biznesmenit Granit Paçarizi, me të kaluar kriminale, i cili hodhi dyshime mbi detyrat zyrtare që kryen Hajdari e madje bëri thirrje për hetim ndaj tij nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Paçarizi, i cili disa herë është arrestuar, për vepra të rënda penale, e madje ka qenë edhe i dënuar, sipas informacioneve që ka Sinjali, ka reaguar në shenjë revolte si pasojë e disa rasteve të mëhershme, ku janë përfshirë familjarët e tij.

Në komentin e tij, Paçarizi ka shkruar se Hajdari përveç që është i pamoralshëm, e shfrytëzon pozitën e tij si zyrtar policor, për siç thotë ai, provokime të ndryshme.

Për gjithë këtë reagim të tij, biznesmeni siç duket i ka rënë pishman dhe e ka fshirë, pasi komenti nuk gjendet më te artikulli i Sinjalit i publikuar në Facebook.

Kujtojmë se në gusht të vitit të kaluar, Granit Paçarizi u arrestua dhe u ndalua për dhunim, ndërsa ka qenë i denoncuar më herët edhe për kanosje e lëndim trupor.

Vite më parë, në 2013, ai ishte përfshirë edhe në një përleshje masive, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, ka pasur edhe persona të plagosur.

Paçarizi ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor. Por, prokurori e kishte rihapur rastin, duke e akuzuar kështu Paçarizin për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.

Për kryerjen e kësaj vepre penale, ai ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim. E më 1 janar të vitit 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një dekreti i kishte falur me një vit burg, tre personave të dënuar për vepra të ndryshme penale ku në këtë falje ishte edhe Paçarizi.