Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në vend nuk ka krizë qeveritare, por vetëm pengesa në zgjedhjen e kryesuesve të Kuvendit.
Në një intervistë për Deutsche Welle, gjatë vizitës së tij në Aachen, Gjermani, Bislimi tha se qeveria aktuale është funksionale dhe se janë në pritje të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Ai fajësoi partitë e tjera për bllokimin e zgjedhjes së kryetares së propozuar të Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi kanë dështuar 23 herë në votim.
Bislimi theksoi se të gjithë 120 deputetët e Kuvendit kanë përgjegjësi për konstituimin, dhe se nuk ka nevojë për partnerë të rinj politikë, pasi secili deputet duhet të përmbushë rolin e vet.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje ka përmbushur obligimet e saj, duke ofruar kandidaturën dhe alternativa për zhbllokimin e situatës, përfshirë propozime për ndryshimin e metodës së votimit, të cilat janë dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
