Bislimi kundër LDK-së: Unë kam mandat për dialogun me Serbinë

Para 9 muaj

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka reaguar ashpër ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas deklaratave të tyre se ai nuk ka mandat për të përfaqësuar Kosovën në bisedimet me Serbinë.

Pas takimit të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, Bislimi tha se qëndrimet e LDK-së janë “të palogjikshme”.

“Unë jam zëvendëskryeministër në detyrë i Qeverisë së Kosovës dhe jam i ngarkuar nga qeveria për dialogun me Serbinë. Mandatin ma ka dhënë qeveria dhe vetëm qeveria mund ta tërheqë atë. LDK-ja nuk ma dha mandatin dhe as nuk mund ta marrë. Çdo tjetër është e palogjikshme”, tha Bislimi.

Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u mbajt në Bruksel, pasi ndërmjetësi evropian për dialogun, Peter Sorensen, vizitoi Kosovën dhe Serbinë gjatë muajit gusht. Megjithatë, që nga shtatori i vitit 2023, nuk është zhvilluar ndonjë takim i nivelit të lartë për shkak të tensioneve që kanë ndodhur, përfshirë edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë ngjarje, por Beogradi ka mohuar përfshirjen.