Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonia Biserko, ka komentuar situatën politike dhe protestat që kanë përfshirë vendin pas aksidentit tragjik në Novi Sad, duke i cilësuar ato si një formë të re dhe të pazakontë të mosbindjes civile kundër regjimit të Aleksandër Vuçiçit.
Sipas saj, protesta e studentëve, e cila nisi me kërkesa për të drejtat e tyre dhe degjeneroi në përballje me qeverinë, është një sinjal i qartë për pakënaqësinë që po rritet në shoqërinë serbe.
“Aktualisht studentët janë kthyer në universitete, por protestat kanë vazhduar në një formë më të qetë. Pritet që ato të rikthehen me më shumë vrull në shtator dhe tetor. Kjo është një nismë shumë e veçantë për Serbinë, një lëvizje që nuk ka ndodhur më parë dhe nuk mendoj se do të ndalet”, tha Biserko për Euronews Albania.
Ajo theksoi se Presidenti Vuçiç nuk është i përgatitur për të bërë kompromis dhe kjo i bën protestat edhe më të vështira për t’u shuar.
“Vuçiç nuk do të lejojë zgjedhje të parakohshme, edhe pse disa analistë besojnë se një listë studentore do të fitonte deri në 54% të votave. Ai ende mban një bazë të fortë prej 30% së bashku me partnerët e tij të koalicionit, dhe nuk pranon humbjen. Ai shpreson që kjo valë të shuhet dhe të rikthejë mbështetjen që ka pasur,” shtoi Biserko.
Në analizën e saj, Biserko paralajmëron se presioni shoqëror do të rritet, ndërkohë që Vuçiç është i fokusuar në organizimin e ekspozitës botërore “EXPO 2027”, të cilën e sheh si një projekt madhor për imazhin e Serbisë.
