Bimët medicinale po lulëzojnë në fushën e Korçës: Më pak ujë, më shumë fitim

Para 10 muaj

Fermerët zgjedhin kultivimin e lule mëllagës, kalendulës dhe barit të bletës si alternativa më të qëndrueshme ndaj kulturave tradicionale.

Vitet e fundit, fusha e Korçës është shndërruar në një prej zonave më premtuese për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike. Krahasuar me kulturat tradicionale bujqësore, këto bimë kërkojnë më pak ujitje dhe përdorim të kufizuar të pesticideve, duke i bërë jo vetëm më miqësore me mjedisin, por edhe më të leverdishme ekonomikisht për fermerët.

Një prej tyre është Xhuljano Agolli, i cili prej disa vitesh kultivon lule mëllagë, barin e bletës, lule cjan dhe kalendulë. Në këtë periudhë të vitit, është sezoni i mbledhjes së lule mëllagës – një nga bimët më të kërkuara në tregun mjekësor dhe kozmetik.

“Na mungon fuqia punëtore. Kjo është sfida kryesore gjatë sezonit të mbledhjes,” tregon Agolli, ndërsa punon në arat e tij. Megjithatë, ai shprehet optimist, pasi kërkesa për këto bimë është e qëndrueshme dhe çmimet në treg – sidomos për produktet e thata dhe të përpunuara – janë konkurruese.

Një faktor kyç në suksesin e kësaj kulture është bashkëpunimi me kompanitë përpunuese dhe eksportuese, të cilat ofrojnë siguri për tregun dhe nxisin fermerët të përmirësojnë cilësinë dhe sasinë e prodhimit.

Sipas specialistëve të bujqësisë, bimët medicinale dhe aromatike përfaqësojnë një potencial të madh zhvillimi për zonat rurale, sidomos në kohën kur ndryshimet klimatike dhe kostoja e lartë e inputeve bujqësore po sfidojnë modelet tradicionale të prodhimit.