Berisha reagon mbi akuzat e Trump ndaj Sorosit: Akt historik, ja pse e mbështes

Para 8 muaj

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të pretenduar të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të akuzuar George Soros dhe të birin e tij, Alex Soros, si një organizatë kriminale, duke u bazuar, sipas tij, në aktin ligjor RICO.

– Advertisement –

Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi këtë zhvillim si një “akt historik”, ndërsa theksoi se prej vitesh ka kërkuar ndalimin e aktivitetit të Sorosit, të cilin e konsideron si një armik të demokracisë shqiptare.

Ai shton se i ka bërë thirrje Senatit dhe Kongresit amerikan, si dhe Parlamentit Europian, të ndalojnë me ligj veprimtarinë e Sorosit jashtë SHBA-së.

“Në një akt historik, presidenti i SHBA, akuzoi dje bazuar në aktin ligjor të RICO-s, Xhorxh Sorosin dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros si organizatë kriminale që kanë ushtruar një veprimtari intensive kundër rendit dhe sigurisë së SHBA.

Xhorxh Sorosi dhe i biri i tij janë sot mbështetja kryesore e grupeve kryesore dhe ideologjisë marksiste dhe post-marksiste në SHBA dhe në botë.

Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit.

I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA”, tha Berisha.

Ish-kryeministri akuzoi miliarderin amerikan dhe të birin si mbështetës të ideologjive marksiste dhe ndërhyrës të drejtpërdrejtë në politikën shqiptare, në favor të kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si “kryetar i një organizate kriminale”.

Berisha përmendi gjithashtu se sipas tij, pas Nju Jorkut, kryeqyteti i dytë më i rëndësishëm për Sorosin ka qenë Tirana.