Berisha: Në 100 ditët e para, nuk do ketë rrogë nën 500 euro dhe pensionistët do marrin më shumë se 200 euro

Para 0 vit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në qytetin e Peqinit, prezantoi disa nga zotimet kryesore të programit të tij qeverisës, nëse opozita fiton zgjedhjet më 11 maj. Ai premtoi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, paga minimale në Shqipëri do të jetë 500 euro, ndërsa asnjë pensionist nuk do të marrë më pak se 200 euro në muaj.

“U siguroj se me 11 maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal. Pas 100 ditësh nuk do të ketë rrogëtar me pagë më të ulët se 500 euro, rroga mesatare do të jetë 1250 euro dhe asnjë mësues nuk do paguhet nën 1500 euro,” tha Berisha përpara mbështetësve.

Ai akuzoi qeverinë aktuale për varfërimin e pensionistëve dhe braktisjen e tyre: “Pensionistët që kanë shkrirë jetën e tyre trajtohen në mënyrën më të pashpirt. Marrin një pension mesatar prej 172 eurosh, që blen dy herë e gjysmë më pak se në vitin 2013. Sot, për të pasur të njëjtën fuqi blerëse si atëherë, pensioni duhet të ishte 390 mijë lekë.”

Berisha krahasoi situatën me vendet fqinje, duke përmendur se një pensionist në Mal të Zi aktualisht merr tre herë më shumë se një shqiptar. Sipas tij, 57% e pensionistëve në Shqipëri sot jetojnë me më pak se 172 euro në muaj.

Në vijim, Berisha komentoi edhe mitingun e Partisë Socialiste në Dibër, ku u shfaq reperi Noizy me një Lamborghini, bashkë me kryeministrin Rama. “Tallet me shqiptarët. Merr daullen e i bie daulles. Gjen dhe Noizyn me Lamborghini. Lamborghini i Noizyt nuk është as pension, as rrogë. Ai ta gëzojë, por ç’punë ka pensionisti me të, ç’punë ka i sëmuri që vdes për ilaçe,” u shpreh Berisha, duke e krahasuar situatën me “shfaqje të zbrazëta propagandistike”.