Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë përmbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit, ka paraqitur angazhimet e tij dhe të PD-së për një të ardhme më të mirë për qytetarët shqiptarë, me një fokus të veçantë te të rinjtë dhe pensionistët.
Berisha premtoi se, nëse qytetarët i japin mbështetje më 11 Maj, brenda 100 ditëve të mandatit të tij të ardhshëm, Shqipëria do të heqë çdo pension nën 200 euro. Ai garantoi se 560 mijë pensionistët që përfitojnë aktualisht më pak se 172 euro, do të kenë një rritje të menjëhershme të pensioneve në 200 euro. Për të gjithë pensionistët e tjerë, Berisha njoftoi një rritje të pensioneve deri në 20%.
“Pensionet do të rriten, asnjë pension nën 200 euro dhe gjithçka do të bëhet brenda 100 ditëve të ardhshme,” tha Berisha, duke theksuar se angazhimi i tij është për një nivel më të mirë jetese për pensionistët shqiptarë.
Në lidhje me rininë, Berisha prezantoi “Paktin për Rininë”, një iniciativë që do të dyfishojë fondet për arsimin dhe do të krijojë mundësi punësimi për të rinjtë pas diplomimit. Ai premtoi gjithashtu një fond startup për të rinjtë, me grantë prej 5 mijë eurosh, si dhe një zbritje 70% në taksat për sipërmarrësit që punësojnë të rinjtë.
Berisha po ashtu prezantoi një paketë mbështetjeje financiare për çiftet e reja, duke ofruar 30 mijë euro për ndihmën në pagimin e interesave të kredisë dhe pagesa për fëmijët e rinj: 70 euro për fëmijën e parë dhe 60 euro për të dytin. Për çdo fëmijë të tretë, qeveria do të mbulojë deri në moshën 23 vjeçare.
Në përfundim, Berisha e cilësoi votën e 11 Majit si një mundësi për të rinjtë për të realizuar ëndrrën shqiptare brenda Shqipërisë.
