Beogradi urdhëron shënjestrimin e policëve të Kosovës pas arrestimit të Igor Popoviq

Para 9 muaj

Beograd – Autoritetet serbe kanë ndërmarrë hapa konkretë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës pas arrestimit të ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën, Igor Popoviq, më 18 korrik 2025.

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka konfirmuar se ka kërkuar nga Drejtoria e Policisë Kriminale dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit që të mblidhen të dhëna për identitetin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që morën pjesë në arrestim.

Sipas njoftimit zyrtar, kjo është bërë “me qëllim të sqarimit të elementeve të veprës penale të kidnapimit” në përputhje me nenin 134 të Kodit Penal të Serbisë. Ky veprim përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes dy vendeve, me Prishtinën që e konsideron arrestimin të ligjshëm dhe Beogradin që pretendon shkelje të të drejtave të përfaqësuesve të saj.

Reagimi vjen në një moment kur retorika mes dy qeverive është ashpërsuar ndjeshëm, me paralajmërime për pasoja të rënda politike dhe të sigurisë në rajon.