Belgjika nis mision diplomatik në Kosovë dhe Shqipëri për të luftuar krimin e organizuar dhe mbipopullimin në burgje

Para 6 muaj

Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, ka ngritur shqetësime serioze mbi përfshirjen gjithnjë e më të madhe të Kosovës në dosjet kriminale belge, ku përmenden veprimtari të tilla si pastrimi i parave, trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabanda e armëve.

Në këtë kuadër, Verlinden, së bashku me ministren belge të Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, ka nisur sot një mision diplomatik tre-ditor në Kosovë dhe Shqipëri. Vizita ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe të trajtojë disa sfida të përbashkëta, përfshirë mbipopullimin e burgjeve dhe luftën ndaj krimit të organizuar.

Sipas agjencisë së lajmeve Belga, gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni belg pritet të diskutojë një traktat dypalësh për ndihmën juridike të ndërsjellë, që synon të rrisë bashkëpunimin afatgjatë mes dy vendeve në drejtësi penale dhe ndjekje penale ndërkufitare.

Në fokus të veçantë të vizitës do të jetë edhe shqyrtimi i mundësisë për ndërtimin ose marrjen me qira të një burgu jashtë territorit belg, ku mund të dërgohen të burgosurit që nuk janë shtetas belgë – si një zgjidhje për mbipopullimin kronik të burgjeve në Belgjikë.

Delegacioni do të zhvillojë gjithashtu bisedime rreth një “letre nisme” për shpërndarjen e aseteve kriminale të sekuestruara në hetime të udhëhequra nga autoritetet belge në Kosovë apo Shqipëri. Qëllimi është që një pjesë e këtyre të ardhurave të kthehen në buxhetin shtetëror të Belgjikës.

Ky mision pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe drejtësisë.