Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që ende nuk e kanë nisur miratimin apo zbatimin e reformave të kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian,
Kos tha në samitin e Tiranës se, ndonëse dy vite janë kaluar nga nisja e zbatimit të planit katërvjeçar, progresi i disa shteteve mbetet i mangët. Sipas saj, “dy performuesit më të mirë” – Shqipëria dhe Mali i Zi – kanë miratuar rreth 50% të reformave të dakorduara me BE-në, ndërsa dy vendet e tjera nuk kanë bërë hapa domethënës.
Në rastin e Kosovës, ngecja lidhet me mungesën e institucioneve funksionale, pasi vendi që nga zgjedhjet e 9 shkurtit ende nuk ka arritur të formojë ekzekutivin e ri, duke pamundësuar ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend. Raporti i Progresit të BE-së përmend se vendi nuk ka mundur të përfitojë nga Plani i Rritjes “për shkak të ngërçit politik”.
Nga Kosova, në samit po merr pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Plani i Rritjes i BE-së, me vlerë 6 miliardë euro, synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Kosovës i takojnë rreth 900 milionë euro, duke e bërë përfituesen më të madhe për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.
