BE pritet të heqë plotësisht masat ndaj Kosovës javën e ardhshme

Para 3 muaj

Ka pritje reale që javën e ardhshme të merret vendimi për heqjen përfundimtare të të gjitha masave të Bashkimi Evropian ndaj Kosova, bëjnë të ditur burime jozyrtare nga Brukseli. Madje, sipas tyre, e hëna përmendet si datë orientuese kur mund të formalizohet vendimi.

Siç raportohet, në nivel të Komisioni Evropian janë përmbyllur të gjitha procedurat vendimmarrëse që i takojnë këtij institucioni. Tashmë ka mbetur vetëm mbajtja e takimit të përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së, të ngarkuar me çështjet e rajonit, ku pritet të miratohet heqja e masave.

Masat ndaj Kosovës janë vendosur në vitin 2023. Një vit më vonë, ish-shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, kishte rekomanduar heqjen e tyre, por procesi i formalizimit zgjati mbi 18 muaj.

Që nga vendosja e masave, mbi 400 milionë euro asistencë financiare evropiane u bllokuan. Në fund të vitit 2025 u hoq gjysma e këtyre masave financiare, ndërsa tani pritet të zhbllokohet edhe pjesa e mbetur.

Në kuadër të masave ndëshkuese ishte përfshirë edhe suspendimi i takimeve bilaterale të zyrtarëve evropianë me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, përveç rasteve të takimeve me karakter rajonal.

Ndërkohë, komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ende nuk e ka vizituar Kosovën. Ajo planifikon një vizitë gjatë këtij muaji dhe, sipas zyrtarëve evropianë, skenari ideal do të ishte që pikërisht gjatë kësaj vizite të komunikohej lajmi për heqjen e masave.