Komisioni Evropian ka konfirmuar për mediat se po punohet drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, në një mënyrë të kushtëzuar dhe të kthyeshme. Sipas një përgjigje të dërguar nga Zyra për Shtyp e KE-së, procesi i heqjes së masave do të jetë i ngadaltë dhe i varur nga veprimet konkrete të autoriteteve të Kosovës.
Ky hap ka ardhur pas një shkëmbimi qëndrimesh mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë takimit të ministrave të jashtëm në prill. Nga informacionet jozyrtare, nisja e këtij procesi është për momentin më shumë simbolike sesa substanciale.
Po ashtu, Bashkimi Evropian ka rifilluar funksionimin e nënkomiteteve me Kosovën dhe ka rinisur asistencën teknike nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, burime diplomatike në Bruksel theksojnë se ky është maksimumi që BE mund të ofrojë aktualisht, pasi për heqjen e plotë të masave është i nevojshëm pajtimi unanim i të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Për një konsensus të tillë, thuhet se Kosova duhet të marrë hapa të qartë për të ulur tensionet në veri të vendit, siç është theksuar në konkluzionet e dhjetorit, ku është vendosur se heqja graduale e masave do të ndodhë paralelisht me përpjekjet konkrete të autoriteteve kosovare për stabilizimin e situatës.
