BE me deklaratë të përbashkët para samitit SHBA-Rusi: Mbështetje e palëkundur për Ukrainën – Hungaria refuzon ta nënshkruajë

Para 9 muaj

Në prag të samitit SHBA-Rusi që do të mbahet të premten në Alaskë, liderët e Bashkimit Evropian kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për të konfirmuar mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën,

Deklarata mirëpriti përpjekjet e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës së agresionit rus dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Ajo nënvizon rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke theksuar se “kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Udhëheqësit e BE-së insistuan se çdo rrugë drejt paqes duhet të përfshijë Ukrainën, ndërsa theksuan nevojën për të mbrojtur interesat e saj jetike të sigurisë dhe të vetë Evropës. Ata shprehën gjithashtu gatishmërinë për mbështetje të mëtejshme politike, ushtarake dhe financiare ndaj Kievit, përfshirë edhe përpjekjet drejt anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Deklarata u hartua nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe u miratua nga të gjithë liderët e BE-së – me përjashtim të Hungarisë, e cila refuzoi ta nënshkruante.

“Hungaria nuk e shoqëron veten me këtë Deklaratë”, thuhej në fund të tekstit.

Një burim diplomatik i BE-së citohet të ketë thënë se Hungaria nuk ishte e bindur për lëshimin e një deklarate të përbashkët përpara bisedimeve SHBA-Rusi.