Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, duke u bërë thirrje partive politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të angazhohen për zgjidhjen e ngërçit institucional.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook, BE ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes partive për të ecur përpara me formimin e institucioneve të reja.
“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ka dhënë sqarime të rëndësishme. BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i përmbahen këtij vendimi dhe të gjejnë kompromisin dhe shumicën e nevojshme për të ecur me shpejtësi me procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe Zëvendëskryetarëve. Nuk ka më kohë për të humbur në një ngërç politik!”, thuhet në deklaratë.
Reagimi i BE-së vjen në një kohë kur vendi ndodhet përballë një krize institucionale, pas vështirësive për formimin e organeve të reja shtetërore. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm dhe bashkëpunim ndërpartiak, për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve dhe për të shmangur vonesa të mëtejshme në procese të rëndësishme për vendin.
