Bruksel, 13 qershor 2025 – Bashkimi Evropian ka transferuar një tjetër këst prej 1 miliard eurosh ndihmë makrofinanciare për Ukrainën, duke e çuar në afërsisht 150 miliardë euro shumën totale të mbështetjes që nga fillimi i ofensivës ruse në shkurt 2022.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në platformën sociale X (ish-Twitter), ku ka theksuar angazhimin e palëkundur të BE-së për të ndihmuar Ukrainën në përballimin e pasojave të luftës.
“Sot i japim Ukrainës 1 miliard euro të reja, duke e çuar mbështetjen tonë totale në pothuajse 150 miliardë euro,” shkroi von der Leyen.
Sipas Komisionit Evropian, kjo mbështetje përfshin ndihmë financiare, mbështetje ushtarake, asistencë humanitare, si dhe fonde për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar nga lufta.
Bashkimi Evropian mbetet ndër kontribuuesit më të mëdhenj ndërkombëtarë në mbështetje të Ukrainës, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të mbështetur sovranitetin, qëndrueshmërinë ekonomike dhe rimëkëmbjen e vendit nga pasojat e agresionit rus, i cilësuar nga Moska si një “operacion special ushtarak”.
