Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Batalionit 1-133 të Gardës Kombëtare të Ajovës, Nënkolonel Matthew Parrino, i cili po zhvillon një aktivitet bilateral në FSK.
Gjatë takimit, u diskutua për përgatitjet e Kompanisë A të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë për zbarkim në Joint Readiness Training Center (JRTC) në SHBA, ku Nënkoloneli Parrino do të vëzhgojë nga afër procesin. Po ashtu, ekipi nga Garda e Ajovës dhe FSK-ja do të realizojnë validimin e togut pas përmbushjes së detyrave përkatëse.
Në këtë takim, u fol edhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në nivel taktik dhe operacional mes dy forcave. Komandanti Jashari kërkoi nga Parrino përkushtim të lartë në ngritjen e standardeve të validimit, duke i krahasuar ato me njësitë e Ushtrisë Amerikane.
Në përfundim, Gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Gardën Kombëtare të Ajovës dhe angazhimin e FSK-së për të shërbyer krah për krah me trupat amerikane.
