Ballafaqim i tensionuar në gjykatë mes Leonard Ademajt dhe Naim Murselit – Zbulohen detaje të reja për aferën dhe gjendjen psikike të të akuzuarit

Para 9 muaj

Prishtinë, 14 Korrik 2025 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur sot seanca e radhës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku një nga momentet më të rëndësishme ishte dëshmia e vëllait të saj, Leonard Ademaj, i cili për herë të parë u ballafaqua me të akuzuarin kryesor, Naim Murselin.

Sipas raportimit të gazetares Qëndresa Tërshani për Klankosova.tv, ballafaqimi mes Leonardit dhe Murselit zgjati rreth 8 minuta. Kjo ishte gjithashtu hera e parë që Murseli pati të drejtë të drejtonte pyetje gjatë procesit gjyqësor.

Në një deklarim për mediat, Xherladina Rexhepi, e ftuar në emisionin “Kosova Today”, vuri në pikëpyetje gjendjen mendore të Murselit, duke thënë se një njeri me gjendje të qëndrueshme psikike nuk do të ishte në gjendje të kryente një vrasje të tillë.

“Për mendimin tim, një njeri normal s’mundet me e vra gruan, e lëre më ta vrasë në prani të fëmijëve,” u shpreh Rexhepi, duke aluduar se ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit mund të ketë një rol kyç në ecurinë e mëtejme të gjykimit.

Ndërkohë, gazetari Vullnet Krasniqi, gjithashtu i pranishëm në seancë, zbuloi një element të ri, duke përmendur një aferë që, sipas tij, është e njohur për të dy familjet e përfshira. Detajet konkrete të kësaj afere ende nuk janë bërë publike, por ato pritet të ndikojnë ndjeshëm në zbardhjen e motivit të mundshëm të vrasjes.

Procesi gjyqësor për këtë rast të rëndë, që ka tronditur opinionin publik, po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie dhe pritet të vazhdojë me dëshmitarë të tjerë në javët në vijim.