Bajrami: Kosova po rrëshqet drejt një krize të thellë ekonomike, fajtor bllokada e Qeverisë Kurti

Para 7 muaj

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe aleatët e tij për thellimin e krizës ekonomike në vend, duke thënë se bllokada politike po i kushton rëndë qytetarëve dhe shtetit.

Sipas saj, norma zyrtare e inflacionit është 4.3%, por për shportën bazë të konsumit inflacioni ka arritur në shifra dyshifrore, deficiti tregtar po rritet në mënyrë shqetësuese, ndërsa investimet kapitale janë në nivelin më të ulët historik.

“Çmimet po rriten çdo ditë, importojmë pothuajse gjithçka, qeveria nuk investon në ekonomi dhe familjet janë në kredi. Energjia elektrike për bizneset vitale është bërë 300% më e shtrenjtë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo akuzoi gjithashtu Qeverinë për favorizim të tregtarëve të energjisë në dëm të prodhimit vendor dhe e quajti “të korruptuar” politikën e Kurtit, duke thënë se ka faktorizuar Listën Serbe për bllokimin e institucioneve për një pozitë “të parëndësishme” në Kryesinë e Kuvendit.

Sipas saj, çdo vështirësi që po përjetojnë qytetarët, nga rritja e çmimeve te mungesa e barnave dhe librave shkollorë, ka një adresë: Qeverinë Kurti. “Shkatërruesit dhe bllokuesit e kanë fundin afër”, ka përfunduar Bajrami.